ShqipEnglish
PDF Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike

RRITJA E PJESËMARRJES SË PUBLIKUT NË PROCESIN LEGJISLATIV

Qendra e Studimeve Parlamentare në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur (Soros) kanë iniciuar Programin “Rritja e Pjesëmarrjes së Publikut në Procesin Legjislativ” Qëllimi i programit është të forcojë pjesëmarrjen e publikut në proceset legjislative dhe vendimmarrëse të qeverisjes, duke synuar zhvillimin e praktikave demokratike dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Objektivat e programit jane rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në proceset e qeverisjes si dhe fuqizimi i shoqërisë civile për të kërkuar dhe monitoruar proceset qeverisëse për një qeverisje më transparente dhe të përgjegjshme.

Programi ka në fokusin qëndror proceset legjislative, por në një vështrim më të gjerë, adresimin e pjesëmarrjes së publikut në të gjitha sferat e qeverisjes. Hartimi i këtij programi ka ardhur si përgjigje ndaj kërkesave të partnerëve të shoqërisë civile për të siguruar informacion dhe mbështetje në kapacitetet mbrojtëse në zbatimin e politikës dhe legjislacionit, cështje që lidhen me shpërndarjen e shërbimeve dhe pjesëmarrjes demokratike në përgjithësi.

Programi, parashikon ngritjen dhe strukturimin e tre njësive bërthamë:

    * Njësia e Monitorimit
    * Njësia e Trajnimit dhe Advokacisë
    * Njësia e Informimit


Ky projekt përfshin disa aktivitete që do të ndihmojnë për të krijuar një informacion, analizë dhe bazë të nevojshme për të vlerësuar situatën dhe rezultatet që do të arrihen. Kjo do të ndihmojë më pas për ta shtrirë programin në veprimtaritë e tjera që parashikohen në këtë vizion.

Përsa i përket njësisë së monitorimit
Do të monitorohen politikat dhe proceset e hartimit dhe shqyrtimit të legjislacionit të Ekzekutivit dhe Parlamentit dhe do të nxitet dhe mbështetet lobimi për promovimin e pjesëmarrjes së publikut në këto procese.

Njësia do të shpërndajë informacion në një rrjet të OJF-ve, do t'i pajisë ato me informacionin e nevojshëm për aktivitetet e tyre të advokacisë.

QSP do të mbajë sesione informuese, që fokusohen në zhvillimet kyce politike dhe legjislative që synojnë identifikimin e politikës dhe zbatimin në lidhje me proceset që përfshihen në hartimin e asaj politike apo legjislacioni të vecantë.

Çdo organizatë apo individ që dëshiron të përfshihet në këtë program duhet të plotësojë formën e rrjetit te advokacisë Online.

Përsa i përket njësisë së Informimit
Kjo njësi do të monitorojë zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit mbi dokumentat zyrtare, do të lobojë dhe asistojë inisiativat e qeverisë për hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit.

Një drejtim tjetër do të jetë asistenca ligjore për individët dhe organizatat që janë viktimë e mohimit të së drejtës për informim. Për këtë qëllim pranë njësisë do të kontraktohet një avokat për ndjekjen e të gjitha procedurave ligjore.

Do të hartohen dhe shpërndahen broshura informuese mbi të drejtën e informimit për publikun dhe administratën.

Përmes këtij programi, QSP do të sigurojë analizën e politikave dhe të cështjeve të tjera ligjore që kanë impakt në sferat e qeverisjes qendrore dhe vendore; dhe do të shpërndajë këtë analizë përmes seminareve të rregullta dhe raportve te shkruara.

Përfituesit
Përfituesit e programit janë grupet e interesuara të shoqërisë civile dhe strukturat qeverisëse që do të përfitojnë nga procesi i konsultimit dhe pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen legjislative.

Afati i zhvillimit të Programit
Programi është parashikuar të zhvillohet në një periudhë një vjecare duke filluar nga 1 gusht 2003.